Kjo analizë nxjerr këto përfundime:

Turqia renditet e para në mesin e shteteve të rajonit, dhe me të Kosova i ka marrëdhëniet më të mira nga aspekti i cilësisë së marrëdhënieve bilaterale. Shqipëria vjen e dyta, menjëherë pas Turqisë. Duke e patur parasysh madhësinë e saj gjeografike, pozitën dhe ndikimin, Turqia ka qenë shumë më me ndikim në ndihmën Kosovës në lobimin për njohjet e saj si dhe për forcimin e legjitimitetit të saj ndërkombëtar. Krahasuar me Shqipërinë, Turqia ka qenë po ashtu një investitor më i fuqishëm në Kosovë. Nga ana tjetër, Shqipëria është i vetmi vend në rajon me të cilin Kosova ka marrëdhënie shumë intensive, dhe kjo, kësisoj, renditet e para nga aspekti i intensitetit të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve.
Marrëdhëniet/kontaktet me shtetet mosnjohëse të rajonit janë që të gjithat të dobëta. Derisa Greqia dhe Rumania e ruajnë praninë ‘diplomatike’ në Kosovë përmes Zyrave Ndërlidhëse të tyre, Serbia është i vetmi mosnjohës në rajon i cili, jo vetëm që ka përfaqësim ‘diplomatik’ përmes Zyrtarit të vet Ndërlidhës, por e ka lejuar edhe Kosovën për ta patur po të njëjtin përfaqësim në Beograd. Kosova ende nuk ka përfaqësim ‘diplomatik’ përmes Zyreve për Ndërlidhje në mosnjohësit e tjerë, pos asaj që Greqia nuk ia ka mohuar Kosovës të drejtën për ta bërë këtë, për shembull. Ajo që kontribuon po ashtu në atë që Serbia të renditet më lartë se mosnjohësit e tjerë të rajonit nga aspekti i cilësisë së marrëdhënieve/kontakteve, është që investimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, edhe pse të ulëta, kur të merret parasysh rajoni, janë megjithatë të larta kur të krahasohen me mosnjohësit e tjerë. Serbia renditet po ashtu e teta në mesin e të gjitha shteteve të rajonit kur fjala është për intensitetin e marrëdhënieve bilaterale. Për dallim nga mosnjohësit e tjerë, me të cilët Kosova nuk ka marrëdhënie aktive, Serbia i ka ruajtur marrëdhëniet/kontaktet aktive politike me Kosovën në nivelin multilateral, mirëpo marrëdhënie të tilla në nivelin bilateral janë inekzistente. Shkëmbimi tregtar është diçka që i kontribuon nivelit të tashëm të intensitetit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Vëllimi tregtar i Kosovës me Serbinë është shumë më i lartë se me çdo shtet tjetër të rajonit pos Maqedonisë.
Kur fjala vjen te shtetet anëtare të UE-së të rajonit që e kanë njohur Kosovën, Sllovenia renditet e para midis tyre sa i përket cilësisë së marrëdhënieve që i ka me Kosovën. Sllovenia, në fakt, renditet e treta në të tërë rajonin nga aspekti i cilësisë së marrëdhënieve që i ka me Kosovën; ajo është menjëherë pas Turqisë dhe Shqipërisë.
Ajo që i kontribuon cilësisë më të mirë (dhe, në disa raste, më të mirë se që njeriu fillimisht do ta supozonte) të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, Turqisë dhe të Serbisë, për shembull, është që këto shtete, së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë janë të vetmet që nuk zbatojnë pengesa në hyrje (të tilla si vizat) për qytetarët e Kosovës.
Vendet më përkrahëse në rajon në forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës kanë qenë Shqipëria, Turqia dhe Sllovenia. Vende të tjera, si Kroacia dhe Bullgaria kanë qenë po ashtu përkrahëse, por jo deri në masën në të cilën kanë qenë këto trija. Maqedonia dhe Mali i Zi janë të vetmet vende të rajonit që e kanë njohur Kosovën por që kanë mbetur neutrale në qasjen e tyre për ta ndihmuar atë që ta forcojë legjitimitetin e vet ndërkombëtar. Kjo është pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të afërta të tyre me Serbinë, dhe këto njohjen e Kosovës e kanë konsideruar si një goditje mjaft të madhe për Serbinë nga ana e tyre.
Serbia është sfiduesja më e patundur e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo e ndërmerr çdo hap që mundet për ta sfiduar subjektivitetin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Serbia i ka shfrytëzuar të gjitha mjetet që ka mundur, qoftë ligjore (KB, GJND-ja, etj.), qoftë praktike (lobimi), për ta ndalur Kosovën në fitimin e më shumë njohjeve. Rumania e ka përkrahur Serbinë në pothuaj të gjitha përpjekjet e saj për ta sfiduar legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës. BH ka mbetur më pasive lidhur me këtë çështje, për shkak të përçarjeve të saj të brendshme midis përfaqësuesve të saj boshnjakë dhe kroatë në Presidencë (që e përkrahin pavarësinë e Kosovës), nga njëra anë, dhe përfaqësuesve serbë të Presidencës (që e sfidojnë pavarësinë e Kosovës), nga tjetra. Greqia është i vetmi vend mosnjohës në rajon që e ka përvetësuar një qasje më përfshirëse dhe jo-izolacioniste ndaj Kosovës. Ajo e ka ftuar Kosovën për ta hapur Zyren e vet Ndërlidhëse në Athinë, dhe ka qenë po ashtu e hapur për t’u takuar me zyrtarët e lartë të Kosovës, edhe në Prishtinë, edhe në Athinë, gjë kjo që e dallon nga vendet e tjera mosnjohëse.

Shpërndaje këtë artikull