Me një perspektivë të pasigurt drejt BE-së duke qenë vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave, Kosova dhe qytetarët e saj vazhdojnë të përballen me izolimin që, pos situatës së brendshme socio-ekonomike, i ka kontribuuar po ashtu migrimit masiv të parregullt të kosovarëve në muajt e fundit.

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Syri i Vizionit (SiV) kanë publikuar raportin “Kosova drejt BE-së, Sfida e Migrimit të Parregullt”. Ky raport është pjesë e serisë së publikimeve në kuadër të projektit “Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës”, projekt i përkrahur dhe i financuar nga Komisioni Evropian, Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë.
Sipas autorës së këtij raporti znj.Ariana Qosaj-Mustafa, faktorë të ndryshëm shtytës dhe tërheqës i kanë kontribuuar rrjedhave masive të migrimit, faktorë këta që kanë qenë të ndërlidhur me nivelin e izolimit me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të vuajnë nga probleme sistemike, të acaruar nga mitosja e zyrtarëve të lartë, të cilat i kufizojnë mundësitë në punësim dhe e kërcënojnë mjedisin e qëndrueshëm për biznese për shkak të nepotizmit dhe korrupsionit të përhapur gjerësisht.

Në mesin e një korrupsioni sistemik, Kosova është në rrezik nga trazirat sociale për shkak të situatës ekonomike, të përkeqësuar edhe nga bllokimi institucional prej gjashtë muajsh në vitin 2014. Kjo bombë e kurdisur sociale mbetet problematike mbi qeverinë e zgjedhur rishtas. Kthimet e pritura masive nga një numër i shteteve të BE-së vetëm që do ta keqësojnë situatën edhe më tutje. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet siç duhet për kthimin e migrantëve, duke e pasur kthimin e tyre si një prioritet. Zgjatja në finalizimin e raportit të tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave nga qeveria, do të duhej të përshpejtohej në mënyrë që edhe vendimi i BE-së për liberalizim apo mos-liberalizim të jetë i ditur.

Qeveria vendosi të reagojë me prioritete të vjetra dhe strategji të dobëta buxhetore. Deri më sot nuk ka të dhëna zyrtare të përpiluara nga qeveria për numrin e atyre që kanë migruar nga Kosova, duke u mbështetur në dokumente të vjetëruara, të tilla si Profili i Migrimit për vitin 2013, që është miratuar kohëve të fundit.
Numrat e ofruar nga EUROSTAT janë brengosës, dhe tregojnë se nga nëntori i vitit 2014 deri në mars të vitit 2015, nga Kosova kanë ikur 57,945 qytetar, dhe kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të BE-së. Numrat e qytetarëve që po qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në BE mbeten të panjohur.

Edhe pse institucionet e Kosovës ishin paralajmëruar nga BE-ja duke kërkuar të zhvillonin mënyrat e duhura të reagimit, qeveria vazhdoi me zakonet e vjetra, duke dështuar në kuptimin e situatës që zhvillohej në terren. Për shembull, buxheti në dispozicion për ripranim për vitin 2015 i ndarë nga qeveria mbetet po ai i vjetri, me rreth 2 milionë €. Pakoja për ripranim dhe kualifikimi për asistencë financiare vazhdojnë të jenë të vjetrat, duke i pranuar vetëm migrantët që e kanë braktisur Kosovën deri në korrik të vitit 2010.

Faktorë tërheqës të migrimit të parregullt kanë qenë edhe vendimet e kohëve të fundit të disa shteteve evropiane, të tilla si Gjermania, Franca dhe Austria, që Kosovën ta konsiderojnë si vend të pasigurtë, për shkak situatës në Kosovë. Kjo mundësi nuk u humb nga kontrabandistët kosovarë dhe serbë, gjë që dërgoi në rritjen e migrimit të parregullt të kosovarëve në muajt e fundit. Këta faktorë u shfrytëzuan nga kontrabandistët për t’i keqinformuar qytetarët dhe për ta rritur fluksin e tyre migrues për në shtetet e BE-së. Mediat, duke përfshirë edhe mediat sociale, u shfrytëzuan për të përhapur informata që nuk përputheshin me faktet, gjoja se disa nga shtetet anëtare të BE-së po u jepnin azil kosovarëve.

Përgjigjeve të institucioneve të tjera u mungonin qasjet e duhura proaktive dhe udhëzimi strategjik, duke mbetur këto në tërësi me veprim reaktiv sesa proaktiv. Hetimet për kontrabandimin ishin të penguara po ashtu edhe nga mungesa e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht me Serbinë. Serbia në mënyrë pasive lejoi kontrabanduesit që të vepronin për muaj të tërë. Policia e Kosovës vetëm në kohët e fundit arrestoi një numër të vogël të kontrabandistëve, duke i identifikuar kështu deri më 20 mars 2015, vetëm 65 qytetarë si viktima. (N.B. Këto shifra janë deri më 15 mars 2015).

Të dhënat e reagimit gjyqësor për vitin 2014 nuk janë premtuese ashtu që të pritet ndonjë përgjigje e duhur ndaj arrestimeve të fundit të policisë. Nga numri i vogël i rasteve që prokurorët e Kosovës kanë ndjekur në vitin 2014, gjykatësit i shpallën fajtorë vetëm 15 persona, dhe njërin e shpallën të pafajshëm. Në vitin 2014, prokurorët e Kosovës i kishin 63 përqind të rasteve për kontrabandim që kishin mbetur të pazgjidhura. Sidoqoftë, gjykatat e Kosovës përfshirë prokuroritë duhen të reagojnë sa më shpejtë ndaj rasteve të reja të migrimit të parregullt, për t’i hetuar dhe për të ngritur akuza, ashtu që të tregojnë një gatishmëri të qartë për ta luftuar këtë dukuri.

Rezultatet në luftën kundër korrupsionit mund të ndikojnë në minimizimin e faktorëve shtytës të migrimit të parregullt. Duke e ulur korrupsionin sistemik, nepotizmin, dhe duke e siguruar një mjedis të qëndrueshëm për bizneset, qeveria e Kosovës do të japë shenja të shkëputjes nga mënyrat e vjetra të qeverisjes, dhe do të fillojë ta ndërtojë një shtet të qëndrueshëm për qytetarët e vet.

Në fund, KIPRED-i i propozon rekomandimet në vijim për përmirësimin e përgjithshëm të përmbushjes së kërkesave të BE-së në luftimin e migrimit të parregullt:

  • Qeveria duhet urgjentisht të finalizojë raportin e tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, në mënyrë që të përshpejtohet monitorimi dhe vlerësimi i BE-së rreth përmbushjes së kërkesave të liberalizimit të vizave nga ana e Kosovës.
  • Qeveria duhet ta miratojë një Profil të freskuar dhe të Zgjeruar të Migrimit dhe t’i ofrojë statistikat e veta zyrtare për numrin e personave që kanë migruar muajt e fundit
  • Qeveria duhet ta rrisë menjëherë buxhetin për riintegrimin e personave të ripranuar, dhe duhet ta ndryshojë kornizën kohore diskriminuese që vazhdon t’ua mohojë asistencën migrantëve që e kanë braktisur Kosovën pas vitit 2010.

 

Asistenca financiare, si pasojë e kësaj, duhet të ri-kalkulohet, ashtu që të reagohet në mënyrën e duhur ndaj kthimit të migrantëve dhe të përshpejtohet liberalizimi i vizave.

  • Qeveria duhet të jetë proaktive, dhe jo reaktive, në ofrimin e rregulltë të fushatave për informimin e udhëtarëve, duke ju shpjeguar rreziqet faktike nga migrimi i parregullt dhe nga kontrabandimi, përfshirë shpjegimin e pasojave ligjore. Gjithashtu, informacioni duhet të jepet rregullisht duke shfrytëzuar median, duhet të ofrohet shpjegim rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe pasojave të keqpërdorimit të saj nga individët.
  • Agjencionet e Kosovës për zbatimin e ligjit, dhe posaçërisht Policia e Kosovës, duhet t’i hulumtojnë modalitetet e rregullta të bashkëpunimit operacional me vendet rajonale, përfshirë këtu edhe Serbinë, duke i hulumtuar modalitetet e bashkëpunim e rregullt me EUROPOL-in, ashtu që të reagohet ndaj krimeve ndërkufitare dhe të kontrabandimit.
  • Gjykatat e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me agjencionet për zbatimin e ligjit, duhet të mundësojnë dënimin e duhur të kontrabandimit. Për më tepër, gjyqtarët e Kosovës duhet të reagojnë shpejtë ndaj rasteve të reja të kontrabandimit, ashtu që të tregojnë gatishmëri të qartë për ta luftuar këtë dukuri, në pajtim me ligjet ekzistuese.
  • Shtetet e BE-së duhet ta përshpejtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Të vetmit përfitues nga izolimi i Kosovës vazhdojnë të jenë kontrabandistët dhe grupet e organizuara kriminale të vendeve të rajonit, dhe posaçërisht të atyre nga Kosova dhe Serbia. Regjimi i lirë i vizave me shtetet anëtare të BE-së do ta ndalte migrimin e paligjshëm, edhe pse nuk do ta ndalte migrimin si të tillë. Ashtu siç e kanë dëshmuar përvojat paraprake të vendeve me udhëtim të lirë të vizave në BE, numri i migrantëve është rritur paralelisht me liberalizimin e vizave.

Raportin “Kosova drejt BE-së, Sfida e Migrimit të Parregullt” mund t’a shkarkoni këtu.

 

 

Shpërndaje këtë artikull