Klikoni këtu për të ndjekur dokumentarin "Votuesit e së ardhmes"

Projekti ka filluar në vitin 2008, me mbështetjen financiare të Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, Zyra për Demokraci, Të Drejtat e Njeriut dhe Punë dhe është zbatuar në partneritet nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Universiteti shtetëror i Arizonës - Qendra Melikian dhe shkollat fillore dhe të mesme në Prishtinë dhe në Gjilan. Pilot projekti tre vjeçar (2008-2011) ka synuar avancimin e demokracisë dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare në Kosovë, duke i angazhuar të rinjtë ndërmjet moshave 12 dhe 17 vjeç në debate të arsyetuara dhe votime të simuluara për kandidatët dhe platformat që ndikojnë në të ardhmen e Kosovës.

Nëpërmjet mësimeve interaktive në klasë, nxënësit ushtrojnë mbledhjen e informatave rreth kandidatëve dhe diskutimin e mendimeve të tyre me familjen, shokët dhe moshatarët. Modelet e mësimdhënies që përqendrohen te nxënësit, sikurse luajtja e roleve ose diskutimi i hapur i ideve dhe mendimeve, që janë përgatitur nga edukatorët përkatës të Universitetit shtetëror të Arizonës dhe nga KIPRED janë miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Përvoja arrin kulmin në Ditën e Zgjedhjeve, kur nxënësit hedhin votat në zgjedhjet e simuluara. Nxënësit vullnetarë që udhëheqin Qendrat e Votimit Votuesit e së Ardhmes mësojnë për procedurat e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nëpërmjet roleve të tyre si "komisionarë zgjedhorë".

Votuesit e së Ardhmes të Kosovës, jo vetëm që i ka mësuar nxënësit rreth demokracisë dhe vlerave demokratike në Kosovë, por nëpërmjet programeve të trajnimit gjithashtu ka ndihmuar mësimdhënësit e edukatës qytetare që ti zhvillojnë aftësitë vendimtare për mësimet efektive dhe interaktive në klasë.

Shpërndaje këtë artikull